Shkollat në Mramor dhe Grashticë janë bërë gati për nisjen e vitit të ri shkollor, pas përfundimit të një sërë punimesh në kuadër të investimeve për rritjen e efiçiencës së energjisë.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, ka bërë të ditur se në objektet shkollore të këtyre dy fshatrave kanë përfunduar ndërhyrjet në fasada, kulme dhe dritare.
Sipas tij, investimet kanë për qëllim krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit, ndërsa përmirësimet e realizuara pritet t’u shërbejnë shkollave për një periudhë të gjatë.
“Mramori dhe Grashtica po e marrin vëmendjen që e meritojnë. Në këto dy shkolla tashmë kanë përfunduar punimet për fasadën, kulmin dhe dritaret në kuadër të investimeve për efiçiencë të energjisë”, ka deklaruar Elshani.
Ai ka theksuar se bëhet fjalë për investime konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të mësimit dhe punës.
Elshani ka paralajmëruar se investimet në infrastrukturën shkollore do të vazhdojnë edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit, përfshirë lagjet dhe fshatrat e Prishtinës.
/Demantim News/