Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se 20 shkolla në Tiranë janë pajisur me kamera inteligjente, në kuadër të një procesi që synon forcimin e sigurisë në institucionet arsimore.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka bërë të ditur se vendimi për përdorimin e teknologjisë së avancuar në shkolla erdhi pas një ngjarjeje tragjike në Tiranë, kur kamerat ekzistuese nuk kishin ofruar pamje të mjaftueshme për të kuptuar plotësisht dinamikën e rastit.
Sipas Ramës, kamerat e reja janë vendosur në të njëjtat hapësira ku ndodheshin sistemet e mëparshme, por dallojnë për aftësinë që të sinjalizojnë në kohë reale drejtuesit e shkollave, punonjësit e sigurisë dhe, kur është e nevojshme, Policinë e Shtetit.
“Kemi në Tiranë 20 shkollat e para të pajisura me kamera inteligjente, të cilat janë një mjet me aftësi të jashtëzakonshme në duart e drejtuesve të shkollave, punonjësve të sigurisë, por natyrisht edhe të vetë prindërve”, ka deklaruar Rama.
Ai ka theksuar se sistemi synon të mundësojë identifikimin më të shpejtë të situatave potencialisht të rrezikshme dhe ndërhyrjen pa humbur kohë.
Sipas kryeministrit shqiptar, këto 20 shkolla përbëjnë vetëm fazën e parë të projektit, ndërsa instalimi i kamerave inteligjente do të vazhdojë gradualisht edhe në shkolla të tjera.
“Zotimin e bërë pas asaj tragjedie do ta bëjmë realitet shkollë pas shkolle, me teknologjinë në shërbim të njeriut dhe me sigurinë e fëmijëve mbi gjithçka”, ka përfunduar Rama.