Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas marrëveshjes së arritur ndërmjet VV-së dhe LDK-së për kandidatin për President të Kosovës, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm politik dhe institucional.
Nagavci ka thënë se negociatat mes dy partive nuk kanë qenë të lehta, por sipas saj, arritja e një marrëveshjeje për një emër konsensual dëshmon se kompromisi është i mundur kur interesi i vendit vendoset mbi atë partiak.
“Negociata jo të lehta, por një lajm shumë i mirë për Kosovën. Për herë të parë kemi një marrëveshje për një emër konsensual, që dëshmon se, pavarësisht dallimeve politike dhe negociatave jo gjithmonë të lehta, kompromisi dhe përgjegjësia institucionale janë të mundshme kur interesi i vendit vendoset mbi interesat partiake”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka theksuar se në këtë fazë prioritet duhet të jetë krijimi sa më i shpejtë i institucioneve funksionale dhe legjitime.
Duke folur për Bekim Sejdiun, Nagavci e ka cilësuar atë si figurë të respektuar dhe një emër që mund të shërbejë si pikë takimi përtej ndarjeve politike.
“Uroj që kjo marrëveshje të jetë një hap drejt tejkalimit të ngërçit institucional dhe që procesi të përmbyllet sa më shpejt, në të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kosovës i duhen institucione funksionale, stabilitet politik dhe përgjegjësi mbi të gjitha”, ka shkruar Nagavci.
/Demantim News/