Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në nderim të Idriz Rrecajt, eshtrat e të cilit, pas shumë vitesh pritjeje, janë kthyer në vendlindjen e tij në Skenderaj, ku do të rivarroset pranë familjes.
Përmes një reagimi, Haxhiu ka përkujtuar jetën dhe veprimtarinë e Rrecajt, i cili ishte pjesë e “Grupit të Intelektualëve”, një grup atdhetarësh të angazhuar për çështjen kombëtare dhe lirinë e Kosovës.
Ajo ka theksuar se anëtarët e këtij grupi u vunë në shënjestër të forcave serbe, me synimin për t’i eliminuar dhe për të zhdukur gjurmët e veprimtarisë së tyre. Megjithatë, sipas saj, kujtimi dhe kontributi i tyre për vendin vazhduan të jetojnë ndër breza.
Haxhiu ka vlerësuar se kthimi i eshtrave të Idriz Rrecajt në vendlindje përbën një moment të rëndësishëm për familjen dhe një hap drejt vendosjes së drejtësisë për të kaluarën.
Ajo ka nënvizuar se sakrifica e Rrecajt dhe e veprimtarëve të tjerë që u angazhuan për një Kosovë të lirë, me të drejtën për të vendosur vetë për të ardhmen e saj, do të mbetet gjithmonë pjesë e kujtesës kolektive.
Kryetarja e Kuvendit ka shprehur gjithashtu solidaritet me familjet që vazhdojnë të presin informacione për të afërmit e zhdukur me dhunë, duke theksuar se përpjekjet për zbardhjen e fatit të tyre duhet të vazhdojnë deri në gjetjen e së vërtetës.
Në fund të reagimit të saj, Haxhiu ka nderuar figurën e Idriz Rrecajt, duke shprehur respekt për jetën, veprën dhe sakrificën e tij për Kosovën.