Një sulm me armë zjarri në një shkollë fillore në shtetin amerikan të Oregonit ka përfunduar me katër viktima, mes tyre tre fëmijë dhe një mësues. Si pasojë e të shtënave, dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur të enjten, më 15 tetor, në shkollën fillore “Silver Rail”, në qytetin Bend, ku një 16-vjeçar dyshohet se ka hyrë me forcë në ndërtesë dhe ka hapur zjarr.
Sipas informacioneve të bëra publike nga autoritetet, viktimat janë tre fëmijë të moshave 5, 8 dhe 11 vjeç, si dhe një mësues. Ndërkohë, një fëmijë shtatëvjeçar dhe një mësues 54-vjeçar janë dërguar në spital në gjendje kritike.
Shefi i policisë së Bendit, Mike Krantz, ka deklaruar se i dyshuari ka depërtuar në objekt duke qëlluar me armë zjarri drejt dyerve të mbyllura të shkollës.
Sipas tij, 16-vjeçari është qëlluar për vdekje nga një qytetar i armatosur, i cili e kishte ndjekur brenda ndërtesës dhe ishte përballur me të.
Policia ka reaguar brenda pak minutash pas marrjes së njoftimeve të para për të shtënat, ndërsa në vendin e ngjarjes janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për menaxhimin e situatës.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë publik identitetin e sulmuesit dhe as nuk kanë dhënë detaje për motivin e mundshëm të sulmit. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse 16-vjeçari kishte ndonjë lidhje me shkollën.
Hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie.