Policia e Shtetit në Shqipëri ka bërë të ditur se gjatë katër ditëve të protestave në Tiranë janë arrestuar 127 persona, ndërsa 244 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtuesi i lartë i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, i cili ka njoftuar edhe për identifikimin e disa kanaleve dhe grupeve të komunikimit në internet, ku dyshohet se janë shpërndarë mesazhe që nxisin akte të dhunshme dhe terroriste.
Sipas tij, strukturat e specializuara për hetimin e krimeve kibernetike dhe antiterrorizmin kanë ndërmarrë veprime për shqyrtimin e përmbajtjeve të publikuara në hapësirën virtuale. Gjatë monitorimit, thuhet se janë evidentuar edhe kërcënime të drejtpërdrejta ndaj jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit.
Ziu bëri të ditur se për këto raste është nisur procedimi penal, ndërsa autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë me agjenci partnere ndërkombëtare për të identifikuar adresat IP, administratorët e kanaleve dhe përdoruesit që dyshohet se kanë nxitur dhunë apo akte terroriste.
Ai theksoi se përdorimi i llogarive anonime në rrjetet sociale për shpërndarjen e mesazheve të tilla nuk do të tolerohet. Sipas tij, hetimet po zhvillohen në mënyrë të detajuar për të sqaruar qëllimet dhe veprimet e personave të dyshuar.
Në deklaratën e tij, përfaqësuesi i Policisë shprehu gjithashtu shqetësimin për përhapjen e informacioneve që i cilësoi të pavërteta dhe dashakeqe, të cilat, sipas tij, synojnë të nxisin tensione përmes shfrytëzimit të ndjenjave nacionaliste dhe të dëmtojnë besimin e qytetarëve te institucionet policore.
Sa i përket protestave në Tiranë, Ziu bëri të ditur se 127 personat e arrestuar dyshohet se janë përfshirë në vepra që lidhen me shkatërrimin e pronës dhe kundërshtimin e punonjësve të Policisë.