Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, u është drejtuar qytetarëve me një videomesazh, përmes të cilit ka kërkuar mbështetje për studentët dhe të rinjtë që prej disa ditësh po protestojnë kundër qeverisë.
Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për përdorimin e dhunës policore ndaj protestuesve, duke pretenduar se gjatë protestave janë keqtrajtuar, ndaluar ose arrestuar mijëra të rinj.
Sipas tij, në mesin e personave të prekur nga ndërhyrjet e policisë ka gjimnazistë, studentë dhe të mitur.
“Prej një jave, mbi 2 mijë vajza, djem, gjimnazistë, të mitur, studentë, janë dhunuar egërsisht, ndaluar apo arrestuar dhe kanë mbushur paraburgimet e vendit, nga burgu famëzi i Burrelit gjer në burgun e Beratit”, ka deklaruar Berisha.
Përmes këtij mesazhi, kreu i Partisë Demokratike ka kërkuar nga qytetarët që të mos i lënë vetëm studentët dhe të rinjtë në protestat e tyre, duke bërë thirrje për pjesëmarrje dhe solidaritet me ta.
Deklaratat e Berishës vijnë në ditët kur protestat në Shqipëri po vazhdojnë, ndërsa situata është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes demonstruesve dhe forcave të policisë.