October 21, 2026
1 min read

320 të lënduar nga protestat në Tiranë për 9 ditë, mbi gjysma janë policë!

Bilanci i protestave të zhvilluara në Tiranë nga 13 deri më 21 tetor është rënduar, me 320 persona të lënduar, mes tyre 192 efektivë policie, 92 protestues dhe 36 kalimtarë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar të dhënat për personat që kanë marrë trajtim mjekësor gjatë protestave të zhvilluara në periudhën 13–21 tetor 2026.

Sipas bilancit zyrtar, nga 320 personat e lënduar, pjesa më e madhe janë efektivë të Policisë së Shtetit. Mes të dëmtuarve janë edhe 92 protestues dhe 36 kalimtarë, përfshirë gjashtë përfaqësues të medias, njëri prej të cilëve shtetas i huaj.

8 persona kërkuan ndihmë mjekësore pas protestës së fundit

Vetëm gjatë protestës së djeshme, tetë persona janë paraqitur për trajtim në Spitalin Universitar të Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).

Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur gjashtë persona: një efektiv policie, një protestues dhe katër kalimtarë. Tre prej kalimtarëve janë shtruar për trajtim të mëtejshëm, ndërsa njëri prej të lënduarve ka kryer me sukses një ndërhyrje kirurgjikale dhe, sipas ministrisë, ndodhet në gjendje të mirë.

Aktualisht, në këtë spital vijojnë të jenë të shtruar nëntë persona të lënduar gjatë protestave. Mes tyre janë katër protestues, një efektiv policie, një përfaqësuese e medias dhe tre kalimtarë.

Ndërkohë, në QSUT janë paraqitur dy persona, një efektiv policie dhe një protestues. Të dy kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali që gjatë ditës së djeshme.

Bilanci përfshin disa spitale në vend

Të dhënat për 320 personat e lënduar janë mbledhur nga strukturat shëndetësore të disa qyteteve, përfshirë Spitalin Universitar të Traumës, QSUT-në dhe spitalet rajonale në Durrës, Vlorë e Lezhë.

Shifrat pasqyrojnë numrin e personave të raportuar të lënduar gjatë nëntë ditëve të protestave, ndërsa një pjesë e tyre vijojnë të marrin trajtim spitalor.

Latest from Blog

Go toTop