October 21, 2026
1 min read

Pejë: Arrestohet i dyshuari për dhunë, prokuroria e ndalon për 48 orë

Një person i dyshuar për ushtrim të dhunës ndaj një viktime në qytetin e Pejës është ndaluar për 48 orë, pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës dhe autorizimit nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Rasti u bë i ditur pasi prokuroria pranoi një video nga një qytetar, në të cilën shihet një person duke ushtruar dhunë ndaj një viktime.

Pas pranimit të pamjeve, prokurorja kujdestare nga Departamenti i Përgjithshëm autorizoi menjëherë policinë për identifikimin e personave të përfshirë dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.

Policia shoqëron të dy personat, i dyshuari ndalohet me urdhër të prokurorit

Hetuesit e Stacionit Policor në Pejë kanë shoqëruar në polici si personin e dyshuar, ashtu edhe viktimën, për të vazhduar me procedurat e mëtejshme ligjore.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Pejë ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe raportimin e rasteve që mund të përbëjnë shkelje ligjore.

Institucioni ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë të ndërmarrë veprimet e nevojshme për trajtimin e rasteve të dhunës dhe luftimin e kriminalitetit.

Prokuroria ka ritheksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me qytetarët, duke theksuar se çdo rast do të trajtohet në përputhje me ligjin.

Latest from Blog

Go toTop