October 21, 2026
1 min read

Rama jep lajmin për studentët: Qeveria do të mbulojë 50% të qirasë për ata që plotësojnë kriteret

Qeveria shqiptare pritet të mbulojë gjysmën e kostos së qirasë për studentët që plotësojnë kriteret e përcaktuara, në kuadër të një nisme të re për lehtësimin e barrës financiare të të rinjve.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë, ku foli për draftligjin e ri për strehimin social dhe të përballueshëm.

Sipas Ramës, nisma synon t’u vijë në ndihmë studentëve që përballen me çmime të larta të qirave, veçanërisht në Tiranë, ku shpenzimet për strehim përbëjnë një barrë të konsiderueshme për ta dhe familjet e tyre.

Qeveria do të paguajë gjysmën e qirasë, ja çfarë parashikon draftligji

Kryeministri bëri të ditur se skema e re do të përfshijë studentët që përmbushin kriteret e përcaktuara, ndërsa detajet e përfitimit do të lidhen me kushtet që do të parashikohen në ligj.

“Qeveria do të futet për të paguar 50% të qirasë për të gjithë ata studentë që i plotësojnë kushtet që janë të lidhura me kriteret”, deklaroi Rama.

Ai theksoi se projektligji është hartuar në përgjigje të rritjes së çmimeve të banesave me qira dhe vështirësive që kanë studentët për të përballuar kostot e jetesës gjatë studimeve.

Mbështetje edhe për çiftet e reja dhe profesionistët

Përveç subvencionimit të qirasë për studentët, draftligji parashikon edhe masa të tjera për të lehtësuar sigurimin e banesave nga të rinjtë.

Sipas Ramës, një prej tyre është mundësia e përfitimit të kredive me interes zero për çiftet e reja që synojnë të blejnë një apartament, deri në një vlerë të caktuar.

Mbështetje përmes skemave të parashikuara në projektligj do të ketë edhe për profesionistët e rinj.

Nisma synon të krijojë mundësi më të përballueshme për strehim, ndërsa kriteret e hollësishme dhe mënyra e zbatimit të masave pritet të përcaktohen në kuadër të procedurave përkatëse ligjore.

Latest from Blog

Go toTop