Vaksinat kundër gripit sezonal kanë arritur në Kosovë, ndërsa ka nisur shpërndarja e tyre në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë njoftuar se vaksinimi do të nisë pas përfundimit të procesit të shpërndarjes nëpër qendra shëndetësore dhe njësitë e tyre.
Me këtë rast, institucionet shëndetësore u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen me kohë, duke vënë theks të veçantë te personat që kanë rrezik më të lartë për komplikime nga gripi sezonal.
Kush duhet të vaksinohet me prioritet?
Sipas rekomandimeve shëndetësore, vaksinimi kundër gripit sezonal u rekomandohet veçanërisht këtyre kategorive:
- Personave mbi moshën 65-vjeçare;
- Personave me sëmundje kronike, përfshirë sëmundjet e zemrës, mushkërive, diabetin dhe sëmundjet e veshkave;
- Personave me imunitet të dobësuar;
- Grave shtatzëna;
- Fëmijëve me sëmundje kronike dhe atyre që kanë indikacion për vaksinim;
- Personave që jetojnë në institucione të kujdesit afatgjatë;
- Profesionistëve shëndetësorë dhe personave të tjerë që ofrojnë shërbime të kujdesit shëndetësor.
Megjithatë, vaksinimi nuk kufizohet vetëm te këto kategori. Edhe qytetarët e tjerë që dëshirojnë të mbrohen nga gripi sezonal mund të vaksinohen.
Vaksinimi ndihmon në parandalimin e komplikimeve
Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja theksojnë se vaksinimi mbetet një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen nga gripi sezonal, duke ndihmuar në uljen e rrezikut të komplikimeve, formave të rënda të sëmundjes dhe shtrimit në spital.
Qytetarët që dëshirojnë të marrin informacione më të hollësishme për fillimin e vaksinimit dhe procedurat përkatëse mund të kontaktojnë QKMF-në ose institucionin më të afërt të kujdesit parësor shëndetësor në komunën e tyre.