Shqipëria ka nisur kontingjentin e parë të helikopterëve për t’iu bashkuar misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Kosovë. Lajmin e ka bërë të ditur ministri shqiptar i Mbrojtjes, Ermal Nufi, duke vlerësuar rëndësinë e këtij angazhimi për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Në këtë mision do të marrin pjesë 13 efektivë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Sipas Nufit, përfshirja e tyre dëshmon profesionalizmin e ushtarakëve shqiptarë dhe përkushtimin e Shqipërisë në kuadër të angazhimeve të saj si anëtare e NATO-s.
Nufi: Siguria e Kosovës lidhet drejtpërdrejt me atë të Shqipërisë
Ministri i Mbrojtjes theksoi se pjesëmarrja në misionin e KFOR-it ka rëndësi të veçantë për Shqipërinë, jo vetëm për shkak të lidhjeve historike dhe vëllazërore me Kosovën, por edhe për ndikimin që siguria e saj ka në stabilitetin e gjithë rajonit.
“Për Shqipërinë, ky mision ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për lidhjen vëllazërore dhe historike me Kosovën, por edhe sepse siguria dhe stabiliteti i Kosovës lidhen drejtpërdrejt me paqen dhe sigurinë e Shqipërisë dhe gjithë rajonit tonë”, ka deklaruar Nufi.
Përfshirja e kontingjentit shqiptar në misionin e KFOR-it vjen në kuadër të angazhimit për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabilitetit në Kosovë, me bashkëpunimin e forcave ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO.