October 22, 2026
2 mins read

Naser Hafizi mohon tri akuzat penale, Prokuroria pretendon dëm mbi 15.7 milionë euro

Naser Hafizi është deklaruar i pafajshëm për tri vepra penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, shpëlarjen e parave dhe mosdeklarimin ose deklarimin e rremë të pasurisë.

Deklarimi u bë të enjten, në seancën fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Deklarohem plotësisht i pafajshëm”, deklaroi Hafizi para gjykatës.

Pas deklarimit, gjyqtari Kujtim Krasniqi e njoftoi Hafizin dhe avokatin e tij, Ahmet Tahiri, se kanë afat prej 30 ditësh për të paraqitur kundërshtime ndaj provave dhe kërkesë për hudhjen e aktakuzës.

Prokuroria pretendon dëm prej mbi 15.7 milionë eurosh

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e akuzon Hafizin se gjatë viteve 2021–2023, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL), në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, dyshohet se ka tejkaluar kompetencat zyrtare për t’u mundësuar përfitime të kundërligjshme disa operatorëve ekonomikë që merren me ambalazhimin e ujit.

Sipas aktakuzës, veprimet e pretenduara i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej 15,752,486.07 eurosh.

Prokuroria pretendon se Hafizi nuk i kishte dërguar të gjithë operatorët ekonomikë për vlerësim te Grupi Punues Ministror. Pas pranimit të raportit të këtij grupi, ai dyshohet se i kishte ndarë operatorët në tri kategori, duke mundësuar përcaktimin e detyrimeve financiare mbi bazën e raportimeve të tyre të paverifikuara.

Po ashtu, sipas aktakuzës, ai nuk kishte zbatuar vlerësimet e grupit punues gjatë përcaktimit të borxheve, duke ua zvogëluar disa operatorëve detyrimet financiare për shfrytëzimin e ujit.

Borxhet e operatorëve arrinin në afro 20 milionë euro

Në dokumentet e rastit thuhet se borxhet e operatorëve ekonomikë ndaj Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore arrinin në 19,297,447.67 euro.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Hafizi dyshohet se kishte iniciuar, pa bazë ligjore, nxjerrjen e vendimeve për zvogëlimin e borxheve të disa kompanive, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës dhe duke u krijuar përfitime të kundërligjshme operatorëve të caktuar.

Prokuroria pretendon gjithashtu se ai kishte futur para të gatshme në sistemin bankar me qëllim të fshehjes së burimit të tyre të dyshuar të paligjshëm dhe paraqitjes së tyre si para të ligjshme.

Akuzohet edhe për mosdeklarim të pasurisë

Një pjesë tjetër e aktakuzës lidhet me deklarimin e pasurisë së Hafizit në cilësinë e zyrtarit të lartë publik.

Sipas Prokurorisë, ai nuk kishte paraqitur saktë të dhënat e kërkuara për pasurinë e tij. Konkretisht, pretendohet se për vitin 2020 nuk kishte deklaruar një banesë në rrugën “Bill Klinton”, ndërsa nuk kishte deklaruar as një banesë tjetër të blerë në Fushë-Kosovë më 2022 dhe një pronë të blerë më 2023, të cilën duhej ta deklaronte në vitin 2024.

Këto pretendime janë pjesë e aktakuzës dhe do të trajtohen gjatë procedurës gjyqësore.

Hafizi ishte arrestuar në tetor të vitit 2024

Hafizi ishte arrestuar më 10 tetor 2024 në Aeroportin e Prishtinës, pasi gjatë një aksioni të zhvilluar dy ditë më herët, Prokuroria Speciale kishte njoftuar se ai nuk ishte gjetur në vendbanimin e tij.

Rasti lidhet me dyshimet për zvogëlimin e kundërligjshëm të borxheve të kompanive që shfrytëzonin burimet ujore dhe detyrimet që ato kishin ndaj institucioneve shtetërore.

Meqë Hafizi është deklaruar i pafajshëm, përgjegjësia e tij penale mbetet për t’u përcaktuar nga gjykata në përfundim të procedurës.

Latest from Blog

Go toTop