Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë në gjetjen e Xhafer Raqit, i lindur në vitin 1948, i cili rezulton i zhdukur që nga 2 korriku i këtij viti.
Pavarësisht kërkimeve dhe veprimeve të shumta hetimore e operative, vendndodhja e tij ende nuk është bërë e ditur.
Sipas Policisë, që nga raportimi i zhdukjes janë ndërmarrë hapa të vazhdueshëm për lokalizimin e tij, në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe familjarët.
Në kuadër të kërkimeve, policia, në koordinim me prokurorinë kompetente dhe Njësitin për Kërkim-Shpëtim të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka intervistuar persona që mund të kenë informacione të rëndësishme për rastin.
Gjithashtu, janë verifikuar hyrje-daljet në pikat kufitare, janë zhvilluar kërkime në zonat që Raqi i frekuentonte zakonisht dhe janë analizuar informacione të ndryshme lidhur me lëvizjet dhe vendndodhjen e tij të mundshme.
Megjithatë, deri më tani, të gjitha këto veprime nuk kanë çuar në gjetjen e tij.
Pas autorizimit nga Prokurori i Shtetit, Policia e Kosovës u bën apel të gjithë qytetarëve që mund të kenë çfarëdo informacioni për Xhafer Raqin, të kontaktojnë organet e rendit.
Çdo informacion potencialisht i dobishëm mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit dhe në gjetjen e personit të zhdukur.
