Ministria e Mbrojtjes ka ndarë 950 mijë e 85 euro për shërbimet e shkollimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Universitetin Amerikan në Kosovë.
Kontrata është nënshkruar më 19 tetor 2026 me operatorin ekonomik RIT Kosovo (A.U.K.) College, ndërsa financimi do të mbulohet nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.
Sipas dokumentacionit të kontratës, vlera e parashikuar e saj ishte 1 milion e 10 mijë euro, por marrëveshja përfundimtare është lidhur në vlerë prej 950,085 eurosh.
Kontrata do të zgjasë tri vjet
Marrëveshja për shërbimet e shkollimit është lidhur për një periudhë prej 36 muajsh, përmes procedurës së negociuar.
Në kuadër të kësaj procedure është pranuar vetëm një tender, i cili është vlerësuar si i përgjegjshëm.
Njoftimi për nënshkrimin e kontratës është përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes më 21 tetor 2026.
Kontrata parasheh financimin e shërbimeve arsimore për nevojat e FSK-së, ndërsa dokumentacioni i publikuar nuk specifikon numrin e pjesëtarëve që do të përfitojnë nga ky program apo drejtimet e studimit që do të përfshihen.

