Studentët dhe të rinjtë kanë paralajmëruar një protestë të re për të shtunën, më 24 tetor, para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen mobilizimit.
Përmes një thirrjeje publike të shpërndarë në rrjetet sociale, organizatorët kanë ftuar qytetarët të mblidhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë.
“Të shtunën, të gjithë në shesh!”, është slogani me të cilin po bëhet thirrja për pjesëmarrje në protestë.
Sipas njoftimit, protesta synon të bashkojë të rinjtë, qytetarët dhe diasporën në një mobilizim të përbashkët.
Dhjetë ditë protesta, kërkohet dorëheqja e Ramës
Prej dhjetë ditësh, studentë, gjimnazistë dhe të rinj po protestojnë në rrugët e Tiranës, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Protestuesit kanë refuzuar ofertën për dialog me kreun e Qeverisë, ndërsa kanë vazhduar mobilizimin dhe thirrjet për ndryshime politike.
Protesta e së shtunës pritet të jetë një tjetër moment i rëndësishëm i këtij mobilizimi, ndërsa organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit në shesh.