Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Dren Paca, ka zhvilluar një takim pune me përfaqësuesit e projektit të Bashkimit Evropian “EU4FAST”, ku është diskutuar thellimi i bashkëpunimit dhe avancimi i kapaciteteve profesionale të institucionit.
Në takim morën pjesë edhe prokurori special Rafet Halimi, si dhe përfaqësuesit e projektit të BE-së, Ben Swagerman dhe Arben Isufi.
Gjatë takimit të mbajtur të enjten, Paca i njoftoi përfaqësuesit evropianë për punën aktuale, aktivitetet dhe angazhimet e Prokurorisë Speciale.
Bashkëpunim më i ngushtë dhe shkëmbim i përvojave
Diskutimet u përqendruan në mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimin e përvojave dhe zbatimin e praktikave të mira ndërkombëtare.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua mbështetjes profesionale për zhvillimin e ekspertizës dhe përmirësimin e mëtejshëm të mekanizmave të punës së Prokurorisë Speciale.
Palët vlerësuan rëndësinë e partneritetit me Bashkimin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë në forcimin e standardeve profesionale për trajtimin e rasteve që janë në kompetencë të këtij institucioni.
Takimi synon të kontribuojë në avancimin e bashkëpunimit dhe në rritjen e kapaciteteve profesionale të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.