Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka reaguar pas kthimit në Kuvend për rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke këmbëngulur se ligji nuk përmban asnjë gabim.
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e riktheu ligjin në Kuvend pas kërkesës së PDK-së, me qëllim të rishqyrtimit të dispozitave të caktuara.
Gruda ka deklaruar se qëndron plotësisht prapa punës së bërë për hartimin e ligjit, duke theksuar se procesi është zhvilluar me konsultimet e nevojshme.
Ai ka shtuar se, nëse Kuvendi e rishqyrton ligjin, kjo duhet të bëhet mbi bazën e argumenteve juridike dhe pa cenuar qëllimin për të cilin është hartuar.
Reagimi i plotë i Përparim Grudës:
“Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet.
Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji. E di sa punë, sa përpjekje dhe sa përgjegjësi ka pasur pas tij.
Do të kisha preferuar që sot të flisnim për zbatimin e ligjit, jo për rihapjen e debatit mbi të. Megjithatë, nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet të bëhet me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij.
Unë nuk tërhiqem nga bindja ime, nuk distancohem nga puna ime dhe nuk heq dorë nga qëllimi për të cilin ky ligj u hartua. Çdo hap i mëtejshëm duhet të na afrojë drejt një drejtësie të pavarur që e mbron luftën tonë të drejtë çlirimtare, jo të na largojë prej saj.
Për të tjerat, këtu do të jemi dhe do të flasim.”