October 22, 2026
1 min read

Kurti takohet me Merz në Samitin e Berlinit, zbulon çfarë diskutoi me kancelarin gjerman

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar pamje nga Samiti i 13-të i Procesit të Berlinit, ku ka zhvilluar një bisedë me kancelarin gjerman, Friedrich Merz.

Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit ka pranuar urime nga Merz për mandatin e ri qeverisës.

Në reagimin e tij, kryeministri ka vlerësuar rolin e Gjermanisë në krijimin e Procesit të Berlinit, nismë e lansuar më 2014, e cila synon bashkëpunimin ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kurti thekson marrëveshjet dhe investimet gjermane në Kosovë

Kreu i Qeverisë ka përmendur marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi, përfshirë lëvizjen me letërnjoftime dhe njohjen e diplomave, duke theksuar se Kosova i ka zbatuar zotimet e saj.

Ai u ka bërë thirrje edhe vendeve të tjera të rajonit që të përmbushin detyrimet e tyre, në mënyrë që bashkëpunimi rajonal të mos pengohet.

Kurti ka veçuar gjithashtu investimet gjermane në Kosovë, të cilat, sipas tij, arrijnë në rreth 1.5 miliardë euro, me 62 për qind të tyre të realizuara vetëm gjatë pesë viteve të fundit.

Sipas kryeministrit, potencial për bashkëpunim të mëtejshëm ka në industri, energji, transport, teknologji të informacionit dhe komunikimit (TIK), si dhe në arsimin profesional.

Ai ka njoftuar se javën e ardhshme Prishtina do të mirëpresë Forumin e tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar.

Në fund të reagimit të tij, Kurti ka ritheksuar rëndësinë e partneritetit me Gjermaninë, duke e cilësuar atë si pjesë të së ardhmes evropiane të Kosovës.

Latest from Blog

Go toTop