October 22, 2026
1 min read

Presidentja kthen Ligjin për Specialen në Kuvend, kërkon rishqyrtimin e dispozitave kryesore

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka vendosur ta rikthejë në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Vendimi është marrë pasi Presidentja ka pranuar propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), si sponsorizues i ligjit, për t’i dhënë Kuvendit mundësinë që ta shqyrtojë sërish atë.

Rishqyrtimi pritet të përqendrohet veçanërisht te dispozitat që kanë të bëjnë me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe te garantimi i plotë i të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.

Në arsyetimin e vendimit, Presidentja Shiroka-Pula ka vënë në pah sakrificën dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të udhëheqësve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Ajo ka rikujtuar gjithashtu mbështetjen e saj për Deklaratën e Kuvendit të Kosovës të 28 shtatorit 2026, e cila lidhet me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Presidentja ka ripërsëritur qëndrimin kundër çdo përpjekjeje për shtrembërimin e historisë së Kosovës, vënien në pikëpyetje të karakterit çlirimtar të luftës apo barazimin e popullit që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypte atë.

Në vendimin e saj, Shiroka-Pula ka bërë të ditur se ka zhvilluar dhe po vazhdon konsultimet me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve përkatëse shtetërore.

Qëllimi i këtyre konsultimeve është bashkërendimi i veprimeve institucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike për Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe rolin e UÇK-së.

Po ashtu, Presidentja ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Latest from Blog

Go toTop