Emri i psikiatrit kosovar, Behar Kamberi, u bë i njohur në Shqipëri javën e kaluar, por jo për ndonjë sukses në punën e tij. Mbi dyshimet për përndjekje, 42-vjeçari përfundoi në prangat e Policisë shqiptare dhe tashmë ka dosje të hapur për vepër penale.
Viktima që e denoncoi Kamberin në organet e rendit doli të jetë një moderatore shqiptare, e cila, sipas raportimeve, ia bëri ‘gropën’ mjekut për ta kapur zyrtarët policorë.
Megjithëse ai u lirua, Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë ka bërë të ditur për Klankosova.tv se kjo çështje penale po hetohet, edhe pse Kamberi është liruar.
“Nga verifikimi i kryer, rezulton se mbi bazën e kallëzimit të shtetases A.B është regjistruar procedimi penal nr. 7044 i vitit 2025 për veprën penale “Përndjekja” parashikuar nga neni 121/a i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit B.K.
Pas arrestimit të këtij shtetasi nga policia është urdhëruar lirimi i mënjëhershëm nga prokurori i gatshëm. Çështja vijon ende në hetim.”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Mesazhe me tekste si: “…Të dua…dëshiroj të martohem me ty…” apo “…jeni shumë e bukur, dua tju takoj se kam ardhur nga Kosova vetëm për ju…”, thuhet se janë vlerësuar nga prokuroria si një komunikim krejt normal dhe aspak shqetësues, intimidues, apo kanosës për jetën e moderatores.