Reperi dhe producenti Sean “Diddy” Combs u dënua të premten me 50 muaj burgim (katër vjet e dy muaj) pasi është shpallur fajtor për shkelje të Mann Act, ligj federal i miratuar më shumë se një shekull më parë kundër prostitucionit. Ai është në burg qe një vit.
Ani pse ai u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikimit seksual dhe të zhvatjes, në korrik u shpall fajtor për transportimin e njerëzve nëpër shtete të ndryshme të SHBA-së, përfshirë ish-të dashurat e tij dhe punëtorë meshkuj të seksit, me qëllim angazhimin në marrëdhënie seksuale të paguara, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press.
Mann Act ndalon transportimin e dikujt përtej kufijve shtetërorë “me qëllim prostitucioni ose akte të tjera seksuale të paligjshme”.
Ligji është përdorur ndër vite kundër figurave të njohura, si këngëtari R. Kelly, bashkëpunëtorja e Jeffrey Epstein, Ghislaine Maxwell, muzikanti Chuck Berry dhe, më shumë se 100 vjet më parë, boksierit Jack Johnson.
Si lidhet ligji me rastin e Diddyt
Combs u shpall fajtor për dy raste që lidhen me ish-partneret e tij: këngëtaren R&B Cassie Ventura dhe një grua që dëshmoi me pseudonimin “Jane”.
Të dyja thanë në gjyq se ai i kishte detyruar të merrnin pjesë në maratona seksuale poshtëruese me të panjohur, të cilët paguheshin për performancat. Jane tha se një herë ishte rrahur nga Combs sepse refuzoi t’i bindej. Cassie dëshmoi se, kur tentoi të largohej nga një prej këtyre ngjarjeve, ai “e rrahu dhe e tërhoqi zvarrë në korridorin e hotelit”.
Prokurorët kërkonin për të një dënim mbi 11 vjet burgim, ndërsa avokatët e tij pretendonin se ai duhet të marrë jo më shumë se një vit, duke argumentuar se dëshmitë për dhunë ndaj grave nuk ishin pjesë e akuzës përfundimtare.
“Mëshira” e kërkuar nga gjykata
Para se të shpallej vendimi, 55 vjeçi, ka shkruar një letër katërfaqëshe drejtuar gjyqtarit Arun Sibramanian.
“Ju kërkoj mëshirë sot, jo vetëm për veten time, por për hir të fëmijëve të mi. Zoti më ka bekuar me 7 fëmijë të mrekullueshëm, 3 djem dhe 4 vajza. Kam dështuar si baba… Jam i tmerruar të kaloj edhe një sekondë larg nënës dhe fëmijëve të mi. Nuk më intereson më as fama, as paratë. Asgjë nuk është më e rëndësishme se familja ime”, ka shkruar Combs në letër, raporton People.
Ai ka theksuar se ka humbur bizneset, shkollat që kishte themeluar dhe karrierën e tij, duke pranuar se ka “shkatërruar” dhe “njollosur” reputacionin e vet. Sipas tij, kjo rënie do të mund të shërbejë si mësim për të tjerët.
“Mes të gjitha humbjeve dhe mësimeve, mund ta them me siguri se nuk do të jem më kurrë në një sallë gjyqi penal. Nëse më jepni një shans, dua të ndaj historinë time me njerëzit për të parandaluar që të tjerët të bëjnë gabimet që kam bërë unë. Më bëni mua shembull të asaj se çfarë mund të arrijë një njeri nëse i jepet një mundësi e dytë”, ka shkruar tutje fituesi i çmimit “ikona globale” nga MTV.
Në letër, ai ka pranuar se vitet e fundit kanë qenë më të vështirat e jetës së tij.
“E humba rrugën time. U humba në udhëtim, në drogë dhe në tepricat e jetës. Rënia ime erdhi nga egoizmi im. Jam përulur dhe thyer deri në palcë. Burgun e kam ndjerë si thyerje mendore, fizike e shpirtërore… Por versioni im i vjetër ka vdekur në burg dhe një version i ri i imi u rilind. Nuk mund ta ndryshoj të kaluarën, por mund të ndryshoj të ardhmen”, thuhet në letër.
Ai ka pranuar gjithashtu publikisht dhunën ndaj ish-partneres Cassie Ventura, pasi gjatë gjyqit u shfaqën pamje ku ai shihej duke e goditur dhe shkelmuar.
“E humba mendjen. Isha krejtësisht gabim që vura duart mbi gruan që doja. Jam i penduar për këtë dhe gjithmonë do të jem. Dhuna ime në familje do të mbetet përgjegjësi e rëndë që do ta mbaj për gjithë jetën”, ka thënë Combs.
Themeluesi i “Bad Boy Records” ka thënë se gjatë kohës në burg është bërë për herë të parë “i pastër nga droga pas 25 vjetësh”, duke kaluar kohën duke lexuar, shkruar, bërë ushtrime dhe terapi.
Prokurorët kanë kërkuar që ai të dënohet me më shumë se 11 vite burg, ndërsa avokatët e tij po kërkojnë jo më shumë se 14 muaj, duke përfshirë edhe kohën që ai tashmë ka vuajtur që nga arrestimi.