October 8, 2025
1 min read

Pak para zgjedhjeve lokale, banorët e Koliqit janë qe një javë pa rrymë

Banorët e fshatit Koliq, Komuna e Prishtinës, kanë ngritur një ankesë publike për mungesën ekstreme dhe të pandërprerë të energjisë elektrike që ka nisur më 2 tetor.

Edhe pas tre ditëve pa furnizim total, situata ka vazhduar me ndërprerje të gjata dhe pa paralajmërime, duke shkaktuar vështirësi të shumta për banorët e zonës.

Madje ata thonë për klankosova.tv, se gjendja ka shkaktuar pasoja serioze derisa përgjigjet e ekipit të informacionit për ta nga KEDS kanë qenë të paqarta dhe të përgjithshme, duke mos ofruar asnjë informacion të detajuar mbi shkakun e ndërprerjeve dhe kohën e rikthimit të energjisë.

”Nuk kemi ujë të pijshëm, pasi pompimi varet nga rryma; Interneti nuk funksionon, duke izoluar plotësisht banorët; Bizneset rurale janë në kollaps të plotë, duke pësuar humbje ditore; Fëmijët dhe të moshuarit po vuajnë mungesën e kushteve elementare për jetë dinjitoze”, thuhet ndër tjera në ankesën e tyre dërguar në redaksi.

Klankosova.tv, ka kërkuar sqarim nga KEDS, mbi situatën dhe është ende në pritje të një përgjigje.

Banorët kërkojnë që institucionet përkatëse të marrin masa urgjente në adresimin e këtij problemi të rëndë, pasi heshtja thonë se vetëm po keqëson situatën.

Latest from Blog

Go toTop