Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se në dhjetor të këtij viti mund të mbahen zgjedhjet parlamentare. Këtë, ai e theksoi në një adresim drejtuar diasporës në llogarinë e tij në Facebook.
“Më 9 nëntor mbahen zgjedhjet në balotazh për komunat e Kosovës. Mos e neglizhoni rëndësinë e ditës së balotazhit, votoni prej atje nëse mundeni, komunikoni me familjet dhe të njohurit tuaj në Kosovë, apo ejani edhe njëherë e votoni në Kosovë. Në dhjetor mund të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare”, shkroi Haradinaj.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi një komunë pa balotazh gjersa në pesë tjera do të duhet të garojë me kandidatë edhe në raundin e dytë. Në Deçan korri fitore me të parën, e balotazhi e pret në Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Klinë dhe Junik.