Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, nuk mbajti një konferencë për media në Prishtinë pas takimeve që pati me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke thyer praktikën që ndoqi deri tash në vizitën e saj vjetore në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kosova, por edhe Maqedonia e Veriut do ta ketë të njëjtin fat. Dhe arsyeja pas kësaj janë zgjedhjet aktuale që u mbajtën e do të mbahen në këto dy shtete për të mos e thyer praktikën e Bashkimit Europian në raste të tilla.
Kështu i tha Gazetës Express zëdhënësja e Komisionit Europian, Paula Pinho, në një përgjigje.
“Arsyeja për mosmbajtjen e konferencës për media në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut është për shkak të zgjedhjeve që janë në proces ose pritet të mbahen së shpejti, sipas praktikës së zakonshme”.
Liderët e BE-së i shmangën konferencave për shtyp në vendet ku ka zgjedhje në përpjekjet për të ruajtur neutralitetin politik dhe për të shmangur ndonjë ndikim në fushatën zgjedhore.
Sidoqoftë, një deklaratë publike, von der Leyen e bëri në X ku i la Kosovës porosi të shkurta.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Unionit tonë. Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta. Të ulë tensionet në vend. Gjithashtu, Kosova duhet të finalizojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, ka shkruar ajo.
Në anën tjetër, zyra e Osmanit dhe e Kurtit treguan pak nga përmbajtja e bisedës së takimeve që zhvilluan në Presidencë e në Kuvend. Ata i kërkuan asaj heqjen e masave ndaj Kosovës, avancim të aplikimi për anëtarësim, diskutuan për Planin e Rritjes dhe për rrugën e Kosovës drejt BE-së.