October 15, 2025
8 mins read

Akuzat drejtuar gazetarëve lidhur me raportimet zgjedhore, QNJ-IKD e gatshme të ofrojë mbrojtje ligjore për gazetarët

Qendra për Ndihmë Juridike Falas e Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ-IKD) reagon ndaj deklaratave publike të deputetit të Kuvendit të Kosovës, ministrit në detyrë dhe kandidatit për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, i cili në një reagim publik ka listuar me emra gazetarët dhe përfaqësuesit e mediave, duke i akuzuar për kryerje të veprave penale për shkak të raportimeve të tyre gjatë ditës së zgjedhjeve.

Peci përmes një postimi në Facebook njoftoi se do të dorëzojë kallëzim penal ndaj: Baton Haxhiut, Berat Buzhalës, Lirim Mehmetajt, Visar Imerit, Ilir Mirenës, Valon Sylës, Ermal Pandurit, Valon Fekës, Shkumbin Kajtazit dhe të tjerë, nën dyshimin për “Cenim të përcaktimit të lirë të votuesve” dhe “Falsifikim të rezultateve të votimit”.

QNJ-IKD vlerëson se një qasje e tillë përbën cenim të drejtpërdrejtë të parimeve themelore të demokracisë, të lirisë së shprehjes dhe të drejtës së publikut për t’u informuar. Aty thuhet se akuzat penale të formuluara në mënyrë publike ndaj gazetarëve, përbëjnë formë presioni që mund të dekurajojë raportimin kritik dhe të pavarur.

QNJ-IKD thekson se liria e medias dhe mbrojtja e gazetarëve janë elemente thelbësore të çdo shoqërie demokratike.

“QNJ-IKD u bën thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë që të tregojnë përgjegjësi dhe respekt ndaj rolit të mediave në proceset demokratike, duke shmangur gjuhën denigruese dhe deklaratat apo veprimet që mund të prodhojnë efekt frikësues ndaj gazetarisë dhe mediave. Gabimet eventuale në publikimin e exit-polleve, pas mbylljes së vendvotimeve, apo në analizat mediale që pasojnë procesin zgjedhor duhet të trajtohen si çështje të profesionalizmit dhe përgjegjësisë etike të kompanive apo mediave që i kanë kryer ato, por assesi të ngrihen në nivel të përgjegjësisë për shkak të ushtrimit të lirisë së shprehjes”, thuhet në komunikatë.

QNJ-IKD vlerëson se kjo mënyrë e veprimit cenon lirinë e shprehjes dhe të drejtat e gazetarëve në Kosovë.

“Interpretimi i gjerë i gabimeve eventuale si vepra penale krijon precedent të rrezikshëm për lirinë e shprehjes dhe për gazetarinë hulumtuese. Në njoftimin e tij publik, z. Peci thirret në nenin 210 dhe 216 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Haptazi, këto veprime nuk kanë të bëjnë me situatën të cilën e paraqet i njëjti. Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve, sipas nenit 210 të këtij Kodi, është vepër penale që kryhet me përdorim të forcës apo kanosjes serioze, ose me keqpërdorim të varësisë ekonomike dhe profesionale të votuesit. Ndërsa, falsifikimi i rezultateve zgjedhore, sipas nenit 216 të KPRK, i referohet rezultateve në procesin zgjedhor dhe jo matjeve të opinionit publik apo analizave në debate”, thuhet më tej.

QNJ-IKD fton Prokurorinë e Shtetit që të hetojë në mënyrë të plotë, profesionale dhe të paanshme të gjitha pretendimet për keqpërdorime gjatë procesit zgjedhor.

Po ashtu, Qendra për Ndihmë Juridike Falas e IKD-së ka shprehur gatishmërinë për të ofruar mbrojtje dhe përfaqësim ligjor për secilin gazetar që mund të përballet me ndjekje penale apo padi civile të ngritura nga politikanë ose figura publike, me qëllim të kufizimit të pjesëmarrjes publike dhe aktivizmit qytetar në çështje me interes publik.

“Njëkohësisht, në kuadër të mandatit të saj për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të gazetarëve, QNJ-IKD shpreh gatishmërinë për të ofruar mbrojtje dhe përfaqësim ligjor për secilin gazetar që mund të përballet me ndjekje penale apo padi civile të ngritura nga politikanë ose figura publike, me qëllim të kufizimit të pjesëmarrjes publike dhe aktivizmit qytetar në çështje me interes publik”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë e QNJ-IKD:

Qendra për Ndihmë Juridike Falas e Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ-IKD) reagon ndaj deklaratave publike të deputetit të Kuvendit të Kosovës, ministrit në detyrë dhe kandidatit për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, z. Faton Peci, i cili në një reagim publik ka listuar me emra gazetarët dhe përfaqësuesit e mediave, duke i akuzuar për kryerje të veprave penale për shkak të raportimeve të tyre gjatë ditës së zgjedhjeve.

QNJ-IKD vlerëson se një qasje e tillë përbën cenim të drejtpërdrejtë të parimeve themelore të demokracisë, të lirisë së shprehjes dhe të drejtës së publikut për t’u informuar. Akuzat penale të formuluara në mënyrë publike ndaj gazetarëve, përbëjnë formë presioni që mund të dekurajojë raportimin kritik dhe të pavarur. Liria e medias dhe mbrojtja e gazetarëve janë elemente thelbësore të çdo shoqërie demokratike, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

QNJ-IKD u bën thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë që të tregojnë përgjegjësi dhe respekt ndaj rolit të mediave në proceset demokratike, duke shmangur gjuhën denigruese dhe deklaratat apo veprimet që mund të prodhojnë efekt frikësues ndaj gazetarisë dhe mediave. Gabimet eventuale në publikimin e exit-polleve, pas mbylljes së vendvotimeve, apo në analizat mediale që pasojnë procesin zgjedhor duhet të trajtohen si çështje të profesionalizmit dhe përgjegjësisë etike të kompanive apo mediave që i kanë kryer ato, por assesi të ngrihen në nivel të përgjegjësisë për shkak të ushtrimit të lirisë së shprehjes.

Interpretimi i gjerë i gabimeve eventuale si vepra penale krijon precedent të rrezikshëm për lirinë e shprehjes dhe për gazetarinë hulumtuese. Në njoftimin e tij publik, z. Peci thirret në nenin 210 dhe 216 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Haptazi, këto veprime nuk kanë të bëjnë me situatën të cilën e paraqet i njëjti. Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve, sipas nenit 210 të këtij Kodi, është vepër penale që kryhet me përdorim të forcës apo kanosjes serioze, ose me keqpërdorim të varësisë ekonomike dhe profesionale të votuesit. Ndërsa, falsifikimi i rezultateve zgjedhore, sipas nenit 216 të KPRK, i referohet rezultateve në procesin zgjedhor dhe jo matjeve të opinionit publik apo analizave në debate. Megjithëse pabazueshmëria në këto raste është e qartë, kjo mënyrë e veprimit cenon lirinë e shprehjes dhe të drejtat e gazetarëve në Kosovë.

Në anën tjetër, QNJ-IKD fton Prokurorinë e Shtetit që të hetojë në mënyrë të plotë, profesionale dhe të paanshme të gjitha pretendimet për keqpërdorime gjatë procesit zgjedhor. Ky hetim duhet të shtrihet në drejtim të zbardhjes së çdo dyshimi të raportuar përkitazi me parregullsitë që mund të kenë ndikuar në procesin zgjedhor, por në asnjë mënyrë nuk duhet të keqpërdoret si instrument për të heshtur zërin e gazetarëve apo për të ndëshkuar raportimet mediale.

Njëkohësisht, në kuadër të mandatit të saj për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të gazetarëve, QNJ-IKD shpreh gatishmërinë për të ofruar mbrojtje dhe përfaqësim ligjor për secilin gazetar që mund të përballet me ndjekje penale apo padi civile të ngritura nga politikanë ose figura publike, me qëllim të kufizimit të pjesëmarrjes publike dhe aktivizmit qytetar në çështje me interes publik.

QNJ-IKD do të vazhdojë të mbrojë parimin se një shoqëri demokratike mund të ekzistojë vetëm kur media është e lirë të raportojë, qytetarët janë të lirë të informohen dhe politikanët janë të përgjegjshëm ndaj kritikës publike”.

Ndryshe, sipas Pecit, exit pollet kishin qëllim krijimin e konfuzionit, duke tentuar të ndikojnë dhe devijojnë jashtëligjshëm vullnetin e qytetarëve në Mitrovicë dhe të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve. Ai tha se presin që institucionet e drejtësisë ta trajtojnë me urgjencë dhe në mënyrë meritore këtë rast, për të cilin, thotë se do të paraqesin edhe fakte.

Njoftimi i plotë:

Kallëzim penal

Të nderuar qytetarë të Mitrovicës dhe të Kosovës.

Pas analizës së thellë të procesit zgjedhor në Mitrovicën e Jugut dhe shqyrtimit të dëshmive e argumenteve të manipulimeve dhe ndikimit të palejueshëm e kriminal në votën e qytetarëve, njoftojmë opinionin se do të dorëzojmë kallëzim penal ndaj personave të mëposhtëm:

Baton Haxhiu, Berat Buzhala, Lirim Mehmetaj, Visar Imeri, Ilir Mirena, Valon Syla, Ermal Panduri, Valon Feka, Shkumbin Kajtazi dhe të tjerë për dyshimin e bazuar të Cenimit të Përcaktimit të Lirë të Votuesve, të sanksionuar me nenin 210 dhe të Falsifikimit të Rezultateve të Votimit sipas nenit 216 të Kodit Penal të Kosovës.

Ndërkohë që institucioneve të drejtësisë iu bëjmë thirrje për trajtim urgjent, të drejtë dhe meritor të këtyre krimeve, gjatë ditëve në vijim do të paraqesim edhe fakte, argumente e dëshmi të tjera, të bazuara në deklarimet e qytetarëve dhe entiteteve të tjera.

Gjatë fushatës zgjedhore, e veçanërisht gjatë ditës së zgjedhjeve, pa pritur, ashtu siç e përcakton Ligji për Zgjedhjet, të përfundojë procesi zgjedhor, disa “”medie“ dhe individë të lidhur me grupe të jashtëligjshme interesi, gjatë tërë ditës kanë ndërmarrë veprime të sinkronizuara – përmes shpifjeve, linçimeve, akuzave të rreme, numrave të manipuluar e duke kulmuar me publikimin e të ashtuquajturve “exit poll” të paligjshëm, që shumë shpejt u dëshmua që jo vetëm që nuk e pasqyrojnë aspak vullnetin real të votuesve në Mitrovicë, por madje qëndrojnë shumë larg. Qëllimi i vetëm i këtyre veprimeve ishte krijimi i konfuzionit, duke tentuar të ndikojnë dhe devijojnë jashtëligjshëm vullnetin e qytetarëve në Mitrovicë dhe të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve.

Të nderuar qytetarë të Mitrovicës dhe të Kosovës, do t’ju mbajmë të informuar për gjithçka. Transparenca është tipar që na dallon si individë, si politikanë e si parti politike dhe respektimi dhe mbrojtja e votës së qytetarëve të Mitrovicës është parimi dhe prioriteti ynë kryesor”

Latest from Blog

“I dërrmuar”, Klodiani masazhon Arditin

Banori i Big Brother VIP Kosova, Klodiani ka kaluar pak kohë më Arditin. Madje, gjatë qëndrimit së bashku, ai edhe e ka masazhuar atë. “I dërrmuar”, është shprehur Arditi, duke lënë të

Yllka Kuqi sot feston ditëlindjen

Sot është një ditë e veçantë për Yllka Kuqin. Këngëtarja e njohur shqiptare sot feston ditëlindjen. Për këtë ditë, ajo ka marrë shumë urime, disa prej të cilave i ka publikuar edhe

Bebe Rexha reagon për vdekjen e Shpat Kasapit

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha ka reaguar për vdekjen e këngëtarit Shpat Kasapi. Në një story në Instagram, Bebe ka publikuar një video të Shpatit, ku kishte interpretuar këngën “Cohu
Go toTop