October 21, 2025
1 min read

Krimet Ekonomike ‘zbarkojnë’ në Agjencinë e shoqes së Luan Dalipit

Prokurorisë i ka dalë sërish punë me keqbërësit e pushtetit.

Një tjetër institucion shtetëror tash është në llupën e organit të akuzës nën dyshimet për keqpërdorim.

Bëhet fjalë për Agjencinë e Punësimit të Kosovës, në krye të së cilës është Jehona Rexha, mikeshë e ngushtë me kryekëshilltarin e kryeministrit Kurti, Luan Dalipin.

Ishte korriku i këtij viti, kur në adresë të Departamentit të Krimeve të Rënda të Prokurorisë në Prishtinë shkuan disa informata për Agjencinë e Punësimit. Dyshohej, ndër të tjera, se zyrtarë aty kanë bërë punësime të paligjshme.

Menjëherë pasi prokurorët morën informatat, nisën hetimet e tyre duke autorizuar Krimet Ekonomike të Policisë për të ndërmarrë veprime me qëllim grumbullimin e informacioneve dhe provave që do të zbardhin dyshimet në fjalë.

Zyrtarë të Agjencisë, siç i tha Prokuroria VOX Kosovës, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Emra apo pozita s’u përmenden shkaku i fazës së ndjeshme në të cilën ndodhet rasti.

Nga viti 2022, Jehona Rexha u vendos në pozita të larta në këtë Agjenci. E njëjta, ka një marrëdhënie të ngushtë miqësore me Luan Dalipin, shefin e kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, prova për raportin e të cilëve, gjinden me të madhe në rrjet.

Hiç më larg se para tre muajsh, ajo, me një vendim të veçantë të nënshkruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, u vendos si Ushtruese e Detyrës së Drejtoreshës së Agjencisë së Punësimit.

Ndonëse vetë Institucioni që ajo drejton i referohej që një kohë të gjatë asaj si drejtoreshë, i njëjti VOX Kosovës i tha se Jehona Rexha, para vendimit të korrikut e që nga viti 2022,  kryente detyrën e zëvendëses së drejtorit.

Ndër të tjera, arsyetuan se ajo punon moti në këtë Agjenci.

Në pushtetin aktual, nepotizmi është kthyer në profesion.

Familjarët që dikur ishin për dasma, sot janë për institucione.

Në këtë vend, miqtë e pushtetit s’kanë nevojë për konkurs. Sepse kanë sistemin si rekomandim.

Latest from Blog

Go toTop