October 23, 2025
2 mins read

Aktakuzë ndaj shtetasit turk që vrau vajzën e tij me thikë në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj shtetasit turk me inicialet M.G në dyshimet se i njëjti kishte vrarë me thikë vajzën e tij 15-vjeçare.

Krimi i rëndë kishte ndodhur në maj të këtij viti në banesën ku jetonte familja në qytetin e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, më 06 maj 2025, rreth orës 05:30 të mëngjesit, në rrugën “Shote Galica” në Prizren, në banesën ku i pandehuri jetonte bashkë me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, me dashje e privon nga jeta anëtarin e familjes, përkatësisht vajzën e tij, ashtu që në orët e hershme të mëngjesit, menjëherë pas kryerjes së ritualit të faljes së namazit, i pandehuri me dashje ka marrë një thikë kuzhine me gjatësi të tehut rreth 23 centimetra, të cilën familja e përdorte për prerjen e mishit, dhe niset në drejtim të sallonit të banesës, ku ishin duke fjetur vajzat e tij, viktima Sh.G., dhe e dëmtuara A.R.

Gjithnjë sipas prokurorisë, i pandehuri, duke shfrytëzuar momentin kur vajzat ishin në gjumë, afrohet pranë shtratit dhe e sulmon me thikë viktimën Sh.G., duke e prerë në qafë.

Prokuroria bën të ditur se në momentin kur viktima Sh.G., fillon të bërtasë zgjohet nga gjumi e dëmtuara -vajza tjetër A.G., e cila tenton ta pengojë të pandehurin në veprimet e tij.

“I pandehuri më pas e godet edhe atë me të njëjtën thikë, duke i shkaktuar plagë prerëse dhe shpuese në të dy anët e qafës. Nga klithmat e vajzave zgjohet edhe bashkëshortja e tij, R.G., e cila hynë në sallon dhe tenton ta ndalojë të pandehurin, gjatë së cilës pëson lëndime në fytyrë dhe në dorën e majtë.

Pas një përleshjeje të shkurtër, e dëmtuara R.G., ka arritur ta shtyjë të pandehurin në dhomën e gjumit, ku e mbyll dhe bllokon derën me orendi, duke siguruar kështu mundësinë për të telefonuar për ndihmë.

Ndërkaq, si pasojë e plagëve të marra, viktima Sh.G., ndërron jetë në vendin e ngjarjes”.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, i pandehuri M.G., ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Latest from Blog

Shtyhet funerali shtetëror për Khamenein

Funerali shtetëror për Liderin Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është shtyrë sipas raportimeve në median shtetërore iraniane. Ky funeral tre-ditor ishte planifikuar të fillonte gjatë ditës së sotme, me fotografitë në
Go toTop