Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e quajti “qyqan” kreun e degës së kësaj partie në Vushtrri, Xhafer Tahiri.
Duke folur për koalicionin e arritur ditë më parë mes Tahirit dhe Lëvizjes Vetvendosje në këtë qytet, Abdixhiku në RTV Dukagjini tha se kjo ujdi është “e pavlefshme” për këtë parti.
“Kjo është tema më e parëndësishme për LDK-në, sepse jemi në betejë në nëntë komuna të tjera ku jemi në garë. Vushtrria nuk është në garë sepse kemi dalë të tretit. Secili njeri që e shtrinë qafën para kryetarit të një partie tjetër është qyqan,” tha Abdixhiku, duke shtuar se “për punët e shtëpisë merremi vetë” dhe se vendimi përfundimtar do të merret më 10 nëntor.
Lidhur me këto deklarata, reagoi edhe Xhafer Tahiri përmes rrjeteve sociale, “Lideri i mirë nuk e ‘kall’ shtëpinë e tij!”, shkroi ai.