October 27, 2025
1 min read

Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të Petrit Hotit, zyrtar i Presidencës

Presidenca e Republikës së Kosovës ka njoftuar me pikëllim të thellë për ndarjen nga jeta të Petrit Hotit, i cili ka shërbyer si zyrtar në kabinetin e Presidentes së Kosovës, znj. Vjosa Osmani.

Në reagimin zyrtar të Presidencës thuhet se Hoti është ndarë nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, duke lënë pas dhimbje të madhe te familja, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë njohur si njeri me virtyte të larta, i ndershëm dhe i përkushtuar në punën e tij.

“Presidentja Osmani dhe stafi i Presidencës u shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Hoti, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij për këtë humbje të madhe”, thuhet në njoftim.

Në fund të telegramit të ngushëllimit, Presidenca thekson se kujtimi për Petrit Hotin do të mbetet i paharruar në institucionin e Presidencës dhe në zemrat e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin.
“I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, përfundon mesazhi ngushëllues i Presidencës së Republikës së Kosovës.

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop