October 27, 2025
1 min read

“VV-ja duhet të shkojë në opozitë dhe të reflektojë”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Nura, e ka quajtur paaftësi dhe mungesë guximi nga kryetari i VV-së, Albin Kurti, për krijimin e shumicës parlamentare për formimin e Qeverisë së re.

Në mungesë të marrjes së përgjegjësisë ndaj popullit dhe votës së qytetarëve, Nura thotë se VV-ja duhet të shkojë në opozitë dhe të reflektojë për gabimet që ka bërë gjatë qeverisjes.

‘’Është paaftësi i tij, përderisa e ka fituar një përqindje të lartë, ai është dashur që të jetë përgjegjës dhe i vetëdijshëm për obligimet që i ka ndaj popullit dhe ndaj votës të cilën e ka marrë. Ai faktikisht shihet që nuk ka pasur ndjesinë e besimit i cili iu ka dhënë. Shumë e shëndetshme do të ishte edhe për partinë e tij LVV-në që të shkojë në opozitë dhe të reflektojë ato gabimet që i ka bërë gjatë gjithë kësaj kohe qeverisëse thuajse pesë vjeçare”, deklaroi Nura për RTV21.

Tutje ai bëri të ditur se do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së presidentes për takim konsultativ, por sipas tij, mungon një shumicë tjetër për formimin e Qeverisë.

“PDK-ja do t’i përgjigjet ftesës së presidentes dhe mendoj se nuk jemi të interesuar që të marrim propozimin për mandatar për arsye se nuk është edhe vullneti i LDK-së që të hyjë në një aventurë derisa nuk i kemi të sigurt se a mund t’i kemi numrat për formimin e Qeverisë. Pa dashjen time dhe të PDK-së, siç shihet zgjedhjet janë e vetmja rrugëdalje për arsye se shihet se fituesja e zgjedhjeve nuk ka pasur gatishmëri dhe guxim që të hyj në marrëveshje me parti të tjera”, tha Nura.

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop