October 28, 2025
2 mins read

“VV-ja është për konflikte, jo për shtet”, Humolli flet për arsyet që e çuan Liburnin në Durrës

Ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Liburn Aliu, është emëruar drejtor i Portit të Durrësit në Shqipëri.

Emërimi i tij është konfirmuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në Tiranë, e cila ka njoftuar se Aliu do të drejtojë portin më të madh në vend.

Vendimi vjen vetëm dy muaj pas dorëheqjes së tij nga Qeveria Kurti, të cilën Aliu e kishte arsyetuar si “vendim personal”, por që lidhej drejtpërdrejt me zgjedhjen e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Fatmir Humolli ka komentuar emërimin e Liburn Aliut në krye të Portit të Durrësit.

Ai ka thënë është një zhvillim i pritshëm dhe pozitiv për të , sepse sipas Humollit, babai i Liburnit e kishte nisur aktivitetin e tij politik dhe atdhetar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe kjo trashëgimi ka ndikuar që Aliu të ndihet i lidhur me Shqipërinë .

‘’Babai i Liburn Aliut aktivitetin politik atdhetar e ka nisur në Shqipëri në kohën e luftës së dytë botërore pastaj është rritur me atë frymë , për të Shqipëria e Kosova janë tokë shqiptare’’, tha ish deputeti i VV-së për FrontOnline.

Humolli konsideron se Aliu ka zgjedhur të vazhdojë karrierën e tij në Shqipëri sepse në Kosovë nuk ka pasur më mundësi të kontribuojë në mënyrën që dëshironte, për shkak të mënyrës se si funksionon Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ka thënë se kjo parti nuk është e përgatitur për qeverisje, por për përplasje të brendshme dhe përqendrohet në çështje dytësore, duke mos u marrë me çështjet themelore të shtetit.

‘’Besoj se Liburni ka ndjenjën që në Shqipëri mund të japë më shumë se në Kosovë për shkak edhe të veprimeve të VV-së sepse VV nuk është e përgatitur për pushtet ajo më shumë është e përgatitur për konflikte të brendshme, merren me imtësira e jo me shtyllat e shtetit’’, deklaroi Humolli.

Në këtë kontekst, Humolli e sheh emërimin e Aliut në Shqipëri si një mundësi për ta vazhduar punën e tij profesionale në fusha që gjithmonë i ka shtyrë përpara, si ndërlidhja infrastrukturore mes dy vendeve dhe projektet strategjike si hekurudha dhe rrugët Kosovë–Shqipëri.

‘’Liburni  vazhdimisht ka bërë përpjekje për hekurudhë, për lidhjen e rrugëve Shqipëri-Kosovë kështu që e shoh një mundësi të mirë për Liburnin sepse VV punon kundër programit të vet’’, tha ish bashkë partiaku i Aliut

Ai ka vlerësuar gjithashtu politikën e kryeministrit Edi Rama për përfshirjen e profesionistëve nga Kosova në administratën shqiptare. Sipas Humollit, ata që kritikojnë Ramën për këtë qasje nuk arrijnë ta kuptojnë rëndësinë e hapësirës që po u jepet shqiptarëve nga Kosova  sepse janë nivel I ulët politik.

‘’ Këta që po e kritikojnë Edi Ramën ai po u jep hapësirë shqiptarëve nga Kosova të jenë pjesë e shtetit dhe të kontribuojnë për shtetin por te ne niveli është i ulët dhe nuk mund ta vlerësojnë këto veprime’’, tha Humolli. 

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop