October 29, 2025
1 min read

VV ankohet dy herë për Ballazhin në PZAP, deklarohet ai: Nuk komentoj, rezultatet janë shpallur

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka shpallur Mehmet Ballazhin e Partisë Demokratike të Kosovës kryetar të Hanit të Elezit, bazuar në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Sipas KQZ-së, Ballazhi mori 51.26 për qind, apo 2 mijë e 725 vota, çka e bëri atë zyrtarisht fitues të garës në këtë komunë.

Por ky sukses i Ballazhit, siç duket, nuk po i përshtatet Lëvizjes Vetëvendosje, pasi raportohet se ky subjekt politik, për të dytën herë radhazi, ka dërguar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për të kontestuar rezultatin dhe votat e qytetarëve të Hanit të Elezit.

Sipas Gazetës Nacionale, Lëvizja Vetëvendosje pretendon se votimi me asistencë në këtë komunë ka ndikuar drejtpërdrejt në përjashtimin e kandidatit tjetër nga gara demokratike.

“Derisa dallimi midis kandidatit të parë, fitues i garës zgjedhore pa balotazh, dhe kandidatit të dytë është vetëm 134 vota, atëherë del se numri i votave me asistencë në garën zgjedhore të komunës së Hanit të Elezit është pesë herë më i madh se dallimi i votave (134) mes dy kandidatëve në garë”, citon Nacionale të jetë thënë në ankesën e VV-së.

Për këtë çështje, Klankosova.tv ka kontaktuar Ballazhin, i cili tha se nuk ka interes të merret me ankesat e partisë që doli e para nga zgjedhjet nacionale dhe që aktualisht po drejton Qeverinë në detyrë që nga 9 shkurti.

Ballazhi për Klankosova.tv ka pohuar se rezultatet për Hanin e Elezit janë shpallur dhe se nuk ka më çfarë të komentojë për ankesat.

“Nuk kam dëgjuar, unë e di që janë shpallur rezultatet, nuk di që ka ankesa, nuk kam çfarë të komentoj. Ai që e ka dërguar ankesën, ai le të komentojë. Ankesa nuk ka pasur as gjatë procesit zgjedhor”, ka thënë Ballazhi për Klankosova.tv.

LVV-ja ankesë të tillë kishte paraqitur edhe më 15 tetor, por pas shqyrtimit më 17 tetor PZAP-i kishte deklaruar se ankesa është parashtruar jashtë afatit të duhur kohor.

Për Hanin e Elezit, LVV-ja nuk pati kandidat për kryetar, pos Rufki Sumës që ishte kandidat i pavarur.

Latest from Blog

Go toTop