Albin Kurti ra të dielën e 26 tetorit nga testi që e kërkoi me ngulm për muaj të tërë. Lideri i Vetëvendosjes nuk arriti të ribëhej kryeministër, në mungesë të 61 votave të nevojshme.
Për dështimin me numrat, për formimin e Qeverisë Kurti 3, Albulena Haxhiu e kësaj partie u zu ngusht sot para gazetarëve.
Në konferencën për media pas mbledhjes së Kryesisë, ajo u pyet nëse do të kërkojnë falje për deklaratat e vazhdueshme kur partia e saj këmbëngulte se, sapo të zgjidhej kryetari i Kuvendit (post të cilin e synonte vetë Haxhiu), qeveria do të formohej menjëherë.
Por, kur premtimet iu përmendën, Haxhiu tha se dështimi i së dielës është i ‘përkohshëm’, duke u shprehur e bindur se do të formohet qeveria.
“Mendoj që qytetarët sikurse edhe ju, e keni parë që Qeveria Kurti nuk është votuar, por nuk është votuar vetëm përkohësisht. Natyrisht se do të ketë qeveri Kurti 3”, tha Haxhiu.
Kujtojmë se mandatari për krijimin e qeverisë, Albin Kurti është i pari në historinë e Republikës të cilit Kuvendi nuk ia votoi kabinetin.
Qeveria Kurti 3 nuk kaloi pasi mori 56 vota pro, 52 kundër e 4 abstenime.