Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si të vështirë Kuvendin e Jashtëzakonshëm të thirrur me kërkesën e një pjese të delegatëve për shkarkimin e tij.
Në fjalën e tij para delegatëve, Abdixhiku tha se nuk e ka të vështirë për shkak të postit, por sepse po qëndron para njerëzve me të cilët ka bashkëpunuar ndër vite.
“Sot nuk është ditë e lehtë. Jo për shkak të karriges, por sepse është e rëndë të qëndrosh para njerëzve me të cilët ke ecur gjatë”, deklaroi ai.
Abdixhiku kujtoi pesë vitet në krye të LDK-së, duke thënë se gjatë kësaj periudhe ka përjetuar momente krenarie, por edhe sfida të mëdha.
Ai u tha delegatëve se çdo vendim që ka marrë gjatë mandatit të tij ka qenë në interes të LDK-së dhe jo për përfitime personale.
/Demantim News/