Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se nuk ka asnjë arsye për të vonuar konstituimin e Kuvendit, duke kërkuar që procesi të vazhdojë pa shtyrje.
Para takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ai tha se fokusi duhet të mbetet te përmbushja e obligimeve kushtetuese dhe mbajtja e seancës konstituive.
Abdixhiku theksoi se duhet të votohet kryetari dhe Kryesia e Kuvendit, duke shtuar se LDK-ja nuk ka kërkuar dhe nuk kërkon vonesa në këtë proces.
Ai shtoi se përgjegjësia për mbarëvajtjen e konstituimit i takon edhe partisë së parë dhe se çdo vonesë nuk duhet të përdoret për qëllime negociuese.
Abdixhiku bëri të ditur se pas takimit me Kurtin do të deklarohet sërish para mediave.