Kosova ende nuk e ka dorëzuar në Komisionin Evropian raportin për zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes, ndërsa afati përfundon sonte në mesnatë.
Raporti është i rëndësishëm pasi në bazë të tij BE-ja vlerëson nëse Kosova i ka përmbushur hapat reformues dhe nëse mund të përfitojë nga fondet e radhës, raporton Demantim News.
Deri më tani, Kosova ka marrë vetëm mbi 61 milionë euro parafinancim nga një total prej 882 milionë eurosh të planifikuara. Pagesat e tjera varen nga vlerësimi pozitiv i Komisionit Evropian.
Sipas zyrtarëve evropianë, Kosova ka mbetur prapa vendeve të tjera të rajonit në zbatimin e reformave, kryesisht për shkak të krizës institucionale dhe vonesave politike.
Drejtori i Zgjerimit në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman, ka thënë se Kosova është dukshëm prapa në këtë proces, por ka shprehur pritjen që me stabilizimin institucional të përshpejtohet zbatimi i reformave.
Demantim News raporton se fondet e Planit të Rritjes janë të lidhura drejtpërdrejt me rezultatet konkrete, ndërsa vendet që nuk përmbushin kriteret mund të rrezikojnë humbjen e një pjese të mjeteve.