Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në autostradën Lushnjë-Rrogozhinë, në afërsi të fshatit Zhamë-Sektor.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip fuoristradë ka përplasur një këmbësore, e cila po tentonte të kalonte autostradën. Si pasojë e përplasjes, Bajame Ramazani, 75 vjeçe, ka pësuar lëndime të rënda dhe gjendet në gjendje kritike.
Mësohet se e moshuara po kalonte autostradën për të shkuar drejt tokave të saj bujqësore, duke kaluar mbi trafikndarëse, rreth 50 metra larg një mbikalimi.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.