August 26, 2026
1 min read

Aktakuza ndaj Fatmir Shehollit, OVL-UÇK kërkon zbardhjen e plotë të rastit

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj Fatmir Shehollit, duke kërkuar që rasti të shqyrtohet përtej përgjegjësisë së mundshme individuale dhe të trajtohet edhe në aspektin e sigurisë kombëtare.

OVL-UÇK ka theksuar se respekton prezumimin e pafajësisë, ndërsa përgjegjësia e të akuzuarit, sipas saj, mund të përcaktohet vetëm përmes një procesi të pavarur dhe të drejtë gjyqësor.

Megjithatë, organizata vlerëson se pretendimet për spiunazh dhe shantazh, përfshirë dyshimet për bashkëpunim me shërbimin inteligjent serb BIA, kërkojnë një hetim të detajuar. Sipas saj, duhet të verifikohet çdo kontakt, komunikim, ndërmjetës, si dhe çdo lidhje e mundshme financiare.

OVL-UÇK kërkon që institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë të ndërhyjnë në rast se gjatë hetimeve dalin prova për ekzistencën e një rrjeti më të gjerë dhe të ndërmarrin hapa për zbardhjen dhe shpërbërjen e tij.

Në reagim kërkohet gjithashtu verifikimi i pretendimeve nëse shërbime të huaja të inteligjencës kanë mbledhur ose përdorur materiale që lidhen me luftën e UÇK-së, si dhe zbardhja e qëllimeve për të cilat mund të jenë shfrytëzuar ato.

“Beteja për mbrojtjen e të vërtetës së UÇK-së nuk përfundoi më 12 qershor 1999”, thuhet në reagimin e organizatës.

OVL-UÇK u ka bërë thirrje institucioneve që hetimet t’i ndjekin pa kufizime dhe që provat të çojnë në zbardhjen e plotë të çdo përgjegjësie apo lidhjeje të mundshme.

Latest from Blog

Go toTop