Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka treguar detaje për telefonatat që disa prej bashkëpunëtorëve të tij pretendohet se i kanë marrë nga persona që janë prezantuar si pjesëtarë të BIA-s serbe.
Sipas Rashiqit, ngjarja ka ndodhur në korrik të vitit 2025, kur gjashtë bashkëpunëtorë të tij janë kontaktuar nga një numër nga Serbia dhe u është kërkuar të shkonin në Beograd për takim, duke u paralajmëruar se “do të ishte keq për ta” nëse nuk pranonin.
Rashiq tha se u kishte kërkuar të mos udhëtonin dhe se më pas, një ditë para takimit të pretenduar, atyre u janë dërguar edhe disa materiale video që paraqiteshin si komprometuese.
Ai ka deklaruar se rastin e kishte raportuar në Polici dhe se dyshon për një lidhje mes këtyre telefonatave dhe materialeve që më vonë u publikuan.
Rashiq ka thënë gjithashtu se, nëse thirret nga gjykata, është i gatshëm të dëshmojë në rast, bashkë me bashkëpunëtorët e tij.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale e akuzon Fatmir Shehollin për “Spiunazh” dhe “Shantazh”, duke pretenduar se ka vepruar në koordinim me BIA-n serbe. Seanca e parë gjyqësore është caktuar për 7 shtator.