August 20, 2026
1 min read

Aktakuzë për tentativën e vrasjes së tre personave në Pejë, i dyshuari përfundon në gjykatë

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj Mahmut Hoxhajt, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 17 tetor 2025, rreth orës 16:15, në rrugën “Miftar Zeqa” në Pejë. I pandehuri dyshohet se, i motivuar nga hakmarrja, ka ndërmarrë veprime me qëllim për t’ua marrë jetën tre personave, B.G., A.G. dhe B.G., duke rrezikuar edhe jetën e A.U.

Prokuroria pretendon se Hoxhaj kishte siguruar dy armë të gjata të tipit AK-47, dy armë të shkurtra dhe municion, ndërsa kishte përcjellë lëvizjet e të dëmtuarve pranë Qendrës së Paraburgimit në Pejë.

Kur të dëmtuarit po largoheshin nga zona me një automjet, ai dyshohet se ka shtënë në drejtim të tyre me armë zjarri.

Si pasojë e të shtënave, A.U., i cili drejtonte automjetin, dhe B.G. kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Ndërsa B.G. dhe A.G. dyshohet se janë ekspozuar ndaj rrezikut për jetën.

Të shtënat kanë shkaktuar dëme edhe në automjetin ku ndodheshin të dëmtuarit, në dy automjete të tjera, si dhe në një xham dhe pjesë të inventarit të Gjykatës Themelore në Pejë. Një nga plumbat kishte depërtuar edhe brenda objektit të gjykatës.

Veprimet e të pandehurit, sipas aktakuzës, janë ndërprerë pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës, e cila e ka arrestuar atë dhe ka parandaluar vazhdimin e ngjarjes.

Përveç akuzës për tentativë vrasjeje, Hoxhaj dyshohet se ka poseduar në mënyrë të paautorizuar edhe disa armë dhe municion, përfshirë dy armë të gjata, një pistoletë të tipit RPX9, një revolver të tipit DEIT dhe municion të kalibrave të ndryshëm. Të gjitha këto janë sekuestruar nga Policia.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i ngarkohen.

Latest from Blog

Go toTop