August 17, 2026
2 mins read

Alarm në Maqedoninë e Veriut: Ethet e Nilit Perëndimor marrin 3 jetë, konfirmohen 35 raste

Tre persona kanë humbur jetën deri tani në Maqedoninë e Veriut pasi janë prekur nga ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara ka arritur në 35.

Sipas autoriteteve shëndetësore të vendit, gjashtë nga pacientët e prekur ndodhen në gjendje kritike dhe po marrin trajtim mjekësor intensiv.

Viktima e fundit është një pacient 61-vjeçar, i cili ndërroi jetë të shtunën si pasojë e komplikimeve të lidhura me infeksionin. Me vdekjen e tij, numri i përgjithshëm i viktimave nga kjo sëmundje në Maqedoninë e Veriut ka shkuar në tre.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Sasho Klekovski, ka bërë të ditur se në disa zona tashmë janë kryer spërkatje për luftimin e mushkonjave, ndërsa në zona të tjera ky proces pritet të zhvillohet.

“17 mijë hektarë në Shkup do të spërkaten me spërkatje ajrore, ndërsa 5 mijë hektarë me spërkatje territoriale. Po flas vetëm për qytetin e Shkupit, duke përjashtuar komunat e tjera në rajonin e Shkupit, të cilat janë përgjegjëse për spërkatjen e tyre të pjesshme. 17 hektarë ishin planifikuar për spërkatjen e ujërave të ndenjura në përgjithësi. Sipas laboratorëve, këto janë pellgjet në park dhe liqeni në Stajkovcë”, ka deklaruar Klekovski.

Ndërkohë, drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana, ka njoftuar se gjashtë pacientë janë në gjendje kritike dhe po trajtohen në Njësinë e Kujdesit Intensiv.

Sipas tij, përveç këtyre pacientëve, edhe 16 persona të tjerë janë duke marrë trajtim në Klinikën për Sëmundje Infektive.

Cana ka bërë të ditur gjithashtu se infeksioni po prek edhe persona më të rinj. Ai ka theksuar se pacienti më i ri i hospitalizuar me formën neuroinvazive të sëmundjes është 25 vjeç.

“Megjithatë, në mesin e pacientëve të infektuar me formë neuroinvazive, pacienti më i ri i shtruar në spital është 25 vjeç. Ai është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe po trajtohet në Departamentin e Neuroinfeksionit”, ka thënë Cana.

Përballë përhapjes së sëmundjes, autoritetet e Maqedonisë së Veriut u kanë bërë apel qytetarëve që të raportojnë çdo rast kur vërejnë shpendë të egër të ngordhur, veçanërisht korba apo lloje të tjera shpendësh, pranë Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari.

Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Rreziku për zhvillimin e formave të rënda të sëmundjes është veçanërisht i lartë te personat e moshuar, individët me imunitet të dobësuar dhe njerëzit që vuajnë nga sëmundje kronike.

Ndërkohë, situata është shqetësuese edhe në Greqi, ku Athina aktualisht konsiderohet ndër zonat më të prekura në Evropë nga ethet e Nilit Perëndimor.

Deri tani, në Greqi janë evidentuar 81 raste të formës neuroinvazive të sëmundjes, ndërsa nëntë persona kanë humbur jetën. Raste të infeksionit janë regjistruar edhe në zona pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut.

Latest from Blog

Go toTop