Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e mbrojtjes dhe ka lënë në fuqi vendimin për caktimin e paraburgimit ndaj gjyqtarit Avdirrahman Gashi, i dyshuar për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Apeli ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, të datës 15 gusht 2026, me të cilin Gashit i ishte caktuar paraburgimi për një muaj.
“Refuzohet, si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të pandehurit Avdirrahman Gashi”, thuhet në vendimin e Apelit të 21 gushtit.
Gjyqtari ishte arrestuar më 14 gusht nga Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës, pas një hetimi disa muajsh.
Sipas Prokurorisë Speciale, ndaj Gashit ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Vendimi i Apelit është marrë nga kolegji i përbërë nga Vaton Durguti, kryetar, si dhe Mentor Bajraktari dhe Valon Kurtaj, anëtarë.