August 30, 2026
1 min read

Arifaj për marshin e 12 shtatorit: Nuk është në pyetje vetëm fati i Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së, por i tërë Kosovës

Ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Ardian Arifaj, ka folur për marshin e paralajmëruar më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Arifaj ka deklaruar se marshi është konceptuar si një aktivitet gjithëpopullor, ndërsa ftesa për pjesëmarrje u drejtohet të gjithë qytetarëve, pa dallime politike.

“Sa di unë, janë të ftuar të gjithë dhe nuk di që ka diskutime kush me u thirrë e kush mos me u thirrë, sepse marshi është ideuar që të jetë gjithëpopullor dhe ftesa është për të gjithë”, ka deklaruar Arifaj.

Sipas tij, çështja nuk lidhet vetëm me fatin individual të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve që ndodhen në Hagë, por prek edhe Kosovën dhe mënyrën se si do të trajtohet historia e saj.

Arifaj ka vlerësuar se një vendim i pafavorshëm nga Gjykata Speciale mund të ketë ndikim edhe në narrativën për të kaluarën, por edhe për të ardhmen e shtetit të Kosovës.

“Nuk është në pyetje vetëm fati i tyre, është i tërë Kosovës, edhe e ardhmja, jo vetëm e kaluara”, ka theksuar ai.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se marshi i 12 shtatorit pritet të jetë kulmi i një vargu aktivitetesh që tashmë kanë nisur nëpër komunat e Kosovës në prag të zhvillimeve të rëndësishme në Hagë.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop