Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke pretenduar se ai nuk ka zhvilluar asnjë takim me përfaqësuesit e partisë që nga momenti kur Aleanca i dorëzoi ofertën për bashkëpunim.
Arifi ka deklaruar se më 26 qershor Aleanca i kishte paraqitur Kurtit një ofertë të përbërë nga gjashtë pika, por sipas tij, deri më tani nuk ka pasur as ftesë për takim dhe as përgjigje zyrtare lidhur me propozimet.
Ai ka thënë se Kurti do të duhej të shprehej qartë nëse nuk pajtohet me pikat e propozuara, në vend që, sipas tij, ta injorojë ofertën.
Sipas Arifit, Aleanca ka ofruar mundësinë për sigurimin e shtatë votave, ndërsa ka mohuar pretendimet se partia ka vendosur kushte ose ka refuzuar të takohet me Kurtin.
“Ne i kemi ofruar mundësi shumë të lehtë për të pasur ato shtatë vota”, ka deklaruar Arifi.
Ai ka theksuar se oferta me gjashtë pika mbetet ende në fuqi dhe se Aleanca nuk është tërhequr nga asnjë prej propozimeve. Sipas tij, Kurti mund të kërkojë diskutim për këto pika edhe në ditët në vijim.
Arifi ka paralajmëruar se nëse Kurti vazhdon ta shpërfillë ofertën, atëherë përgjegjësia për sigurimin e votave dhe tejkalimin e ngërçit institucional bie mbi të.
“Kurti po dëshiron t’i injorojë ofertat tona, atëherë le t’i bëjë votat”, është shprehur ai.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës ka bërë edhe një krahasim me situatën pas zgjedhjeve të kaluara. Sipas tij, edhe atëherë Kurti kishte vlerësuar se nuk kishte nevojë për mbështetjen e Aleancës, ndërsa vendi përfundoi në zgjedhje.
Arifi ka thënë se nëse edhe këtë herë qëndrimi i Kurtit është se nuk ka nevojë për Aleancën, atëherë ai duhet të marrë përgjegjësinë për hapat e mëtejshëm dhe, nëse nuk siguron votat, vendi mund të shkojë sërish drejt zgjedhjeve.