Një 49-vjeçar nga Kosova është arrestuar në Kroaci, pasi gjatë kontrollit kufitar është konstatuar se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar përmes Interpolit, me kërkesë të autoriteteve serbe.
Bëhet fjalë për B.B., nga Nerodimja e Poshtme, i cili u ndalua në pikën kufitare ndërkombëtare Karasovići, teksa po hynte në Kroaci me një automjet Audi A6 me targa gjermane.
Autoritetet kroate kanë verifikuar të dhënat e tij në sistemet përkatëse dhe kanë konstatuar se ai kërkohej për arrestim dhe ekstradim.
Fletarrestimi ndërkombëtar është lëshuar më 29 prill 2024, ndërsa Serbia e dyshon 49-vjeçarin për krime lufte ndaj popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.
Pas ndalimit, B.B. është informuar për të drejtat e tij dhe është paraqitur para gjyqtarit hetues të Gjykatës së Qarkut në Dubrovnik. Gjykata ka caktuar paraburgimin ndaj tij, ndërsa tashmë ka nisur procedura për shqyrtimin e kërkesës për ekstradim.
Megjithatë, ende nuk është marrë vendim për ekstradimin e tij drejt Serbisë. Autoritetet serbe kanë 40 ditë kohë për t’ia dorëzuar gjykatës kroate dokumentacionin dhe provat që mbështesin kërkesën për arrestim dhe ekstradim.
I dyshuari, ndërkohë, i ka mohuar kategorikisht akuzat e ngritura ndaj tij nga Serbia.
Gjykata e Qarkut në Dubrovnik pritet të shqyrtojë dokumentacionin që do të dorëzohet nga autoritetet serbe përpara se të vendosë lidhur me kërkesën për ekstradim.
Rasti lidhet me ngjarjet e luftës në Kosovë të viteve 1998–1999 dhe për shkak të natyrës së akuzave, procedura pritet të shqyrtohet me kujdes nga autoritetet gjyqësore kroate.
Shënim: B.B. prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.