Një operacion i gjerë i karabinierëve në qytetin e Latinës, në Itali, ka çuar në zbulimin e një rafinerie të sofistikuar të kokainës, e fshehur mes bimësisë pranë një banese.
Gjatë aksionit u arrestuan pesë persona, mes tyre edhe një shtetas shqiptar, të dyshuar për prodhim, përpunim dhe posedim të lëndëve narkotike.
Sipas autoriteteve italiane, të arrestuarit janë dy shtetas italianë, një holandez, një kolumbian dhe një shqiptar. Ata dyshohet se kishin role të ndryshme në një rrjet kriminal të përfshirë në përpunimin dhe shpërndarjen e kokainës.
Gjatë kontrollit, karabinierët zbuluan një laborator të pajisur me mjete profesionale për rafinimin, përzierjen dhe paketimin e drogës. Në vendngjarje u sekuestruan pajisje për paketim me vakum, peshore precize, sita, furra me mikrovalë dhe presa për formimin e blloqeve të kokainës.
Në laborator u gjetën rreth 9 kilogramë kokainë në proces përpunimi, si dhe substanca të tjera që dyshohet se përdoreshin gjatë rafinimit. Hetuesit zbuluan gjithashtu 27 thasë me pelet druri, të cilët dyshohet se ishin përdorur në një proces kimik për nxjerrjen e kokainës.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e të dyshuarve, ku u sekuestruan rreth 18.2 kilogramë kokainë e gatshme për shitje, para të gatshme, pajisje elektronike, sende me vlerë dhe shënime që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal.
Zona ku ndodhej rafineria është vendosur nën sekuestro, ndërsa autoritetet italiane po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar sasinë e plotë të drogës dhe mënyrën e përpunimit të saj.
Pesë të arrestuarit janë dërguar në burgun e Latinës dhe mbeten në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.