August 20, 2026
1 min read

Arsenal armësh pranë lokacioneve ku u zbuluan varreza masive në Zubin-Potok

Një sasi e konsiderueshme armësh, municionesh dhe pajisjesh ushtarake është sekuestruar nga Policia e Kosovës në zonat përreth tri lokacioneve ku së fundmi janë zbuluar varreza masive në Zubin-Potok.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se armatimi është gjetur në afërsi të vendeve ku, gjatë gërmimeve, janë zbuluar mbetjet mortore të 23 personave.

Sipas tij, në lokacionin e parë janë gjetur mbetjet mortore të 13 personave, në të dytin të katër personave, ndërsa në lokacionin e tretë mbetjet e gjashtë personave.

Sveçla ka thënë se zbulimet janë rezultat i një procesi të gjatë hetimor dhe institucional, duke vlerësuar se forcimi i sundimit të ligjit dhe shtrirja e institucioneve të Kosovës në veri kanë ndihmuar në zbardhjen e këtyre rasteve.

“Zbulimi i varrezave masive ka nxjerrë në pah dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka shtuar se veriu i Kosovës, përveçse ishte vend ku u kryen krime dhe maltretime gjatë luftës, ishte përdorur edhe për fshehjen e trupave të viktimave.

Institucionet e Kosovës, sipas Sveçlës, do të vazhdojnë përpjekjet për zbardhjen e fatit të viktimave dhe kërkimin e drejtësisë për krimet e kryera gjatë luftës.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop