August 21, 2026
1 min read

BE-ja alarmon për krizën institucionale në Kosovë: Rrezikohen reformat dhe përfitimi i fondeve

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur shqetësim të thellë për vazhdimin e krizës institucionale, duke paralajmëruar se vonesat në konstituimin e Kuvendit mund të kenë pasoja në zbatimin e reformave dhe përfitimin e fondeve të BE-së.

Zëdhënësi i Zyrës së BE-së, Nikola Gaon, ka deklaruar se shqetësimi është rritur veçanërisht pasi Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar edhe pas skadimit të afatit kushtetues më 7 gusht.

“Ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar nga kriza institucionale në përshkallëzim në Kosovë”, ka deklaruar Gaon.

Sipas BE-së, zvarritja e formimit të institucioneve mund të ndikojë drejtpërdrejt në zbatimin e reformave të rëndësishme dhe në aftësinë e Kosovës për të shfrytëzuar mundësitë financiare që ofron Bashkimi Evropian.

Në veçanti, është ngritur shqetësimi për ndikimin që ngërçi politik mund të ketë në përfitimet e Kosovës nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

BE-ja u ka bërë thirrje partive politike që të zhvillojnë dialog efikas dhe konstruktiv për tejkalimin e situatës dhe funksionalizimin e institucioneve.

“Respektimi i Kushtetutës, jurisprudencës së detyrueshme të Gjykatës Kushtetuese, sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë kërkon që procesi konstituiv të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme”, ka theksuar Gaon.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop