October 16, 2026
1 min read

BE-ja ndihmoi mbi 200 mijë familje dhe 154 biznese në Kosovë përmes pakos 75-milionëshe për energjinë

Mbi 200 mijë familje dhe 154 biznese në Kosovë kanë përfituar nga Pakoja e Mbështetjes për Energjinë, e financuar nga Bashkimi Evropian, me një vlerë totale prej 75 milionë eurosh.

Rezultatet e kësaj skeme mbështetëse janë prezantuar nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të cilët kanë vlerësuar ndikimin e saj në përballimin e sfidave energjetike.

Schuebel ka theksuar se kjo pako përbën vetëm një pjesë të kontributit financiar të Bashkimit Evropian në Kosovë. Sipas tij, investimet e BE-së në vend që nga viti 1999 kanë tejkaluar shumën prej 3.7 miliardë eurosh.

Ai ka nënvizuar se Bashkimi Evropian vazhdon të jetë një nga partnerët kryesorë të Kosovës dhe burimi më i madh i ndihmës financiare për vendin.

Pakoja prej 75 milionë eurosh u krijua në kuadër të përpjekjeve për të ndihmuar Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që të përballojnë pasojat e krizës globale të energjisë, e cila u përkeqësua pas nisjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Duke folur për perspektivën e bashkëpunimit, ambasadori theksoi se investimet e përbashkëta dhe partneriteti i vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe BE-së do të jenë vendimtare për zhvillimin e sektorit energjetik.

Sipas tij, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet kalimit drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe forcimit të sigurisë energjetike të Kosovës në afat të gjatë.

Latest from Blog

Go toTop